Endrit Mërtiri për Elenën: Gjithçka do ia plas në sy...

Duket se dy çiftet e krijuara brenda “Big Brother 6”, pikërisht Anaidi-Joana dhe Elena-Vigani, kanë pësuar krisje gjatë kësaj jave.

Pasi kanë kaluar momentet e para të tërheqjes dhe lojërave brenda në shtëpi, ndonjëherë të nxituara e ndonjëherë të paragjykuara nga banorët e tjerë, ka filluar reflektimi mes tyre. Fakti që i ka bërë këta banorë të mendojnë përtej mureve të shtëpisë së vëzhguar, janë lidhjet që ata kanë lënë jashtë. Pikëpyetjet e tyre janë a do i presin të dashurit jashtë, a do ua falin, çfarë do të ndodhë pasi të përballen me ta?! Përveç Viganit, modelit nga Kosova, i cili siç deklaroi nuk kishte ndonjë histori që mund ta kufizonte apo ta mbante peng për të krijuar lidhje brenda shtëpisë, Elena u përlot për të dashurin e saj fotograf Endrit Mërtiri, duke shprehur pendesë për afrimitetin publik me Viganin. Nga ana tjetër, Joana deklaroi se ndihej shumë e afeksionuar pas Anaidit dhe vendosi ta linte të dashurin jashtë. Por Anaidi ka qenë shumë i mërzitur këtë javë, pasi sipas një marrëveshjeje që kishte bërë me të dashurën jashtë, e kupton se diçka nuk shkon tashmë. Ndjesitë dhe mendimet e tyre këta banorë i shfaqin para kamerave, ndërsa ne po ju zbulojmë anën tjetër të medaljes. Ja çfarë kanë vendosur të dashurit e tyre jashtë:
Anaidi, e dashura vendos të mos e presë pas intimitetit me Joanën
Edhe pse 27 vjeçari nga Tirana, student i Gazetarisë, deri tani ka krijuar intimitet brenda shtëpisë me Joanën, një vit më të vogël në moshë, ai, nga çfarë thotë, lë të kuptohet se asgjë më shumë nuk do të ketë mes tyre jashtë shtëpisë. Domethënë, ai nuk e konsideron lidhje këtë afrimitet me Joanën, gjë që e ka mërzitur shumë atë, e cila kërkon dhe sqarime për këtë fakt. Vëllai më i vogël i Anaidit, Igli Kaloti, pohoi javën e kaluar, se Anaidi nuk ka hyrë me statusin “single” në lojë, dhe se ai ka një lidhje jashtë shtëpisë me një vajzë shumë të mirë, sipas tij. “Unë e njoh personalisht dhe kam mendim mjaft pozitiv për të  dashurën e Anaidit”, tha ai, edhe pse nuk pranoi të zbulonte më shumë, pasi kjo është një çështje që i përket vetëm Anaidit. Ndërkohë, vetë vajza ka pranuar të qëndrojë larg të gjithë kësaj historie, për vetë faktin se nuk e ka pranuar as si lojë këtë intimitet që Anaidi ka krijuar me Joanën. Fakti që Anaidi nuk e ka pranuar si lidhje të mirëfilltë atë me Joanën, i jepte atij shpresë se e dashura jashtë do ta mirëkuptonte dhe do mund t’i përmbahej marrëveshjes që kishin lënë, që nëse do i sillte veshjet në shtëpi, do ishte ende me të. Por ajo s’e ka bërë, ndaj Anaidi ka kaluar momente dëshpërimi në prani të Joanës për këtë çështje, e cila nga ana e saj është mërzitur po ashtu për faktin se nuk ishte në dijeni. Ajo e acaruar i ka kërkuar sqarime, por Anaidi është treguar i ftohtë duke i pohuar se s’ka për t’i dhënë sqarime dhe as nuk pret sqarime nga ajo për të dashurin e saj jashtë. Ndërkohë, sipas burimeve tona, e dashura e Anaidit nuk ia ka falur këtë histori brenda shtëpisë dhe ka vendosur të largohet nga jeta e tij. Madje, ajo është shprehur se nuk ka asnjë plan ta presë të shpjegohet, pasi nuk dëshiron të sqarohet për sjelljet e Anaidit me Joanën, që i ka parë me sytë e saj. Ndërkaq, Anaidi, edhe pse u tregua moskokëçarës, duket se tashmë po e ndien humbjen e lidhjes, pasi siç ka pohuar ai, ka shumë të zhvilluar shqisën e gjashtë. Njihet si një djalë çapkën, që jetën e sheh si aventurë dhe në “BB6” ka hyrë për famë e sukses, por sërish nuk i pëlqen të luajë me jetën e tij. Nga ana tjetër, nuk dihet sa të lehtë do e ketë Joana ta përballojë këtë indiferencë të Anaidit, edhe pse ajo jetën e konsideron një aventurë dhe në “BB” ka hyrë për të njohur shumë njerëz të rinj. Gjithesesi, ajo e pyeti Anaidin për dyshimet e saj se ai ka të dashur jashtë, edhe pse ishte e ndërgjegjshme se për sa kohë ata të dy nuk kanë shpallur asgjë brenda shtëpisë, nuk ka të drejtë t’i kërkojë llogari për jetën jashtë. Anaidi e mbështeti duke i thënë se edhe mund të ketë të drejtë, por marrëdhëniet e tij me femrat jashtë shtëpisë janë shumë të mira. Megjithatë, ai i tha që i jep mbretëreshës atë që i takon mbretëreshës, që në këtë rast i ngelet Joanës ta kuptojë mesazhin. E ndërkaq, e gjithë kjo lidhje me dyshime e ka torturuar Joanën së brendshmi, ndaj në një moment dobësie ajo i thotë Elenës se i mungon shumë ish-i dashuri. “Mbrëmë kisha shumë nevojë për të, më mungon shumë Jani”, është shprehur Joana pak ditë më parë. Por pyetjes së Elenës, nëse ish–i dashuri mund t’ia falë historinë me Anaidin dhe mund të jenë bashkë sërish, ajo i është përgjigjur: “Jo, por ne do të ngelemi gjithmonë miq, për këtë jam e sigurt”.
Endrit Mërtiri për Elenën: E vlerësoj reflektimin e saj, por gjithçka do ia plas në sy
19-vjeçarja nga Tirana, Elena Lika, dukej që në fillim se do të ishte e piketuara e djemve në shtëpinë e “Big Brother 6”, edhe pse ajo e pohoi hapur, që kishte një lidhje të bukur jashtë me fotografin e njohur, Endrit Mërtiri. Për lidhjen e tyre prej 1 viti e 3 muajsh foli vetë Endriti dhe gjithçka po shkonte mirë, deri në momentin kur hyri në shtëpi  Vigani, modeli simpatik nga Kosova. Për faktin se i lidhte profesioni dhe mosha, ata u afruan shumë me njëri-tjetrin, një sjellje që u konsiderua krejtësisht e papritur dhe e tepruar edhe nga familjarët e Elenës. Motra e saj më e madhe, Alda, e dënoi këtë mos kontroll të situatës nga ana e Elenës, duke pohuar se ajo po  i kalonte caqet, edhe pse sipas saj kjo ishte vetëm një lojë, pasi Elena ka të dashurin jashtë që e do dhe e respekton shumë. Vetë Endriti ka vendosur të distancohet nga kjo lidhje e Elenës me Viganin, duke i dhënë më shumë kohë dhe vetes, për të kuptuar se çfarë po ndodh. Ai nuk ka pranuar të flasë mediatikisht, por në rrethin e tij të ngushtë miqësor ka pohuar se: ”Gjithçka do ia them në sy Elenës. E vlerësoj reflektimin e saj këto ditë dhe tërheqjen nga Vigani, por prapë vendimin për ndarje do ta marr bashkë me të. Të dy vendosëm të lidheshim, dhe po ashtu të dy do vendosim të ndahemi. Mendoj që kështu duhet të veprojë çdo njeri i qytetëruar, pasi nuk jam tipi që më pëlqejnë largimet pa sqarime”. Endriti është shprehur se ajo në këto momente e ka kuptuar gabimin, pasi edhe pse është 19 vjeçe,  ka pjekurinë e një 26-vjeçareje në mendime.