Fjalët e fundit të policit: Më jep 20 mijë lekë,ma bej hallall nqs sti kthej me....


Lajme -Më jep 20 mijë lekë borxh dhe m`i bëj hallall nëse nuk t`i kthej më”. Kjo ka qenë biseda e fundit që 50-vjeçari, Ndue Kolthi, ka bërë me komshiun e tij para pak se t`i jepte fund jetës duke u vetëvarur me rripin e pantallonave në ambientet e Komisariatit Nr.3 në kryeqytet. 50-vjeçari, i cili punonte si polic privat, jetonte në një apartament të vogël në kryeqytet me bashkëshorten e tij, e cila tashmë ka mbetur e vetme. Ata të dy ishin shumë të lidhur me njëri-tjetrin, pasi që të dy ishin rritur në jetimore dhe kishin kaluar shumë vështirësi në jetë, e cila nuk i kishte dhuruar as ndjesinë e të pasurit një fëmijë së bashku. Për çiftin Kolthi, një nga personat me të cilin qanin hallet ishte komshiu përballë tyre, i cili i ka ndihmuar për të kaluar të gjitha hallet që ata kanë pasur. Edhe natën para se Ndue Kolthi, ose Noshja siç e njihnin në lagje, ka trokitur në shtëpinë përballë tij dhe ka kërkuar që ta ndihmojnë me 20 mijë lekë të vjetra. “I kishte kërkuar gruas së tij, Violetës lekë, por ajo nuk kishte dhe erdhi tek unë më kërkoi 20 mijë lekë. Nuk e di për çfarë i ka dashur. Ia dhashë dhe më tha: M`i bëj hallall nëse nuk t`i kthej dot deri nesër”, pohon komshiu i tij. Veç kësaj, ai rrëfen për ‘GSH’, se 50-vjeçari ishte njeri shumë i mirë dhe se sillej mirë me të gjithë, por kishte një ves shumë të keq që konsumonte shumë alkool. “Ishte i sjellshëm dhe gojëmbël, por e tepronte ndonjëherë se pinte shumë dhe shumë herë më ka thirrur gruaja e tij në mes të natës që ta ndihmoja”, pohon komshiu. Ai rrëfen se e njihte prej afro 15 vitesh Noshen dhe se ia dinte mirë hallet. “Nuk e di se çfarë e ka shtyrë që të vrasë veten. Unë arrita i pari në komisariat, ku më thanë që kishte varur veten me rripin e pantallonave në dritare”, rrëfen njeriu më i afërt i Ndue Kolthit. Madje, ai tregon se një ditë para se të ndodhte ngjarja, Ndue kishte shkuar në lokalin poshtë shtëpisë dhe i kishte thënë pronarit të tij: Urdhëro se të kam mbetur 20 mijë lekë borxh dhe dua të t`i jap se më ngelet mendja aty se nuk i dihet deri nesër”, duke hedhur dyshime se 50-vjeçari e kishte paramenduar vetëvrasjen që më parë. “Edhe natën që ai kishte varur veten, kishte pirë shumë. Ndoshta edhe lekët prandaj m`i ka marrë. Forcat e policisë e kishin gjetur në anë të rrugës të shtrirë dhe të gjakosur. E kishin marrë dhe e kishin çuar në spital, ku i kishin bërë edhe serum. Pasi kishin pritur që t`i dilte pija, e kanë shoqëruar në komisariat dhe në momentin që ka qenë në sallë vetëm, ka varur veten”, rrëfen komshiu i tij, i cili ka hapur dyert dhe zemrën e tij për t`i dhënë lamtumirën policit jetim, i cili nuk e pati aspak të lehtë jetën.
Familja
Ishin të paktë ata që u mblodhën në shtëpinë e Ndue Kolthit, pasi morën vesh lajmin për ndarjen e tij nga jeta. Me dhimbjen e të afërmve të tij, u solidarizuan edhe komshinjtë, të cilët kishin respekt për Noshen. Një prej të afërmve të tij, pohon e tronditur shpirtërisht se Ndue kohët e fundit ishte shqetësuar më shumë se i kishin ndërruar vendin e punës. Të gjithë që e kanë njohur janë tronditur nga vdekja e papritur e 50-vjeçarit. Por, dhimbjen më të madhe e ndien bashkëshortja e tij, Violeta, e cila tashmë duhet të jetojë e vetme pjesën tjetër të jetës. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së enjtes, ku 50-vjeçari, Kolthi ka vendosur që të varë veten, duke i dhënë fund jetës së tij.