Flet shoqja e plagosur e balerines:Plumbi nuk ishte per Sonilen


Lajmet e fundit – Tiranë, ekzekutohet në derën e lokalit 26-vjeçarja. Sherr mes dy grupeve.
 Kozeta Bakiu: Ishte balerinë, jo striptise
 Një vajzë 26-vjeçare me profesion balerinë u vra me armë pas mesnatës të së premtes para një lokali nate në zonën e Kasharit në Tiranë. Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur në orën 03:00 të mëngjesit të djeshëm në hyrje të diskotekës “Dream City”.
 Sonila Riza Tafa, 26 vjeçe, është plagosur rëndë në vendin e krimit dhe më pas ka gjetur vdekjen në spital. Personeli i urgjencës në Spitalin Ushtarak tha dje se 26-vjeçarja kishte mbërritur aty pa shenja jete, pasi kishte marrë goditje me një plumb në kokë. Për pak minuta në spital ka qëndruar dhe ka marrë mjekim edhe një vajzë e dytë, e cila në të njëjtën ngjarje kishte pësuar gërvishtje në këmbë nga të shtënat me armë.
 Vajza e dytë, për shkak të gjendjes pa rrezik, është marrë menjëherë nga policia, ku është pyetur për disa orë në lidhje me ngjarjen. Në një deklaratë Policia e Tiranës thoshte dje se vrasja e 26- vjeçares “dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti midis të rinjsh në këtë lokal nate (Dream City). Viktima është qëlluar me armë dhe si pasojë, më pas ka gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme”. MEKANIZMI I VRASJES Viktima e vrasjes te disko “Dream City”, Sonila Tafa (Dervishi), 26 vjeçe, ka qenë në shoqërinë e disa personave duke kaluar disa orë në lokalin e natës. “Ata ishin 5-6 veta në një tavolinë. Ishte edhe një vajzë tjetër dhe disa djem”, tha një burim nga vendi i ngjarjes. Hetuesit e policisë pohojnë se atmosfera brenda në disko ishte nxehur kur rreth orës 1:40, një person që dyshohet se ka qenë i dehur, është afruar te tavolina ku ndodhej Sonila Tafa me shoqërinë e saj. Një dëshmitar në vendngjarje tha se personi që ishte ngritur nga një tavolinë tjetër ka tentuar t’i japë disa lule 26-vjeçares Sonila Tafa.
 Djemtë që ndodheshin në tavolinë me balerinën kanë reaguar duke i kërkuar të panjohurit që të largohej. Duke qenë në gjendje të dehur, siç dyshon policia, ky person nuk e ka dëgjuar kërkesën e palës tjetër dhe, për rrjedhojë, është dashur ndërhyrja e truprojave të diskotekës. “Forcat e policisë private kanë nxjerrë jashtë lokalit personat që ishin afruat te tavolina e viktimës”, thanë burimet e Policisë. Pasi autori i vrasjes së bashku me 2-3 personat që e shoqëronin kishin dalë jashtë lokalit, policia private ka nxjerrë nga diskoteka edhe balerinën, shoqen e saj dhe djemtë që i shoqëronin.
 Pikërisht në këtë kohë, sapo ata kanë dalë nga lokali, ka ndodhur vrasja. Personat e nxjerrë pak çaste më parë nga diskoja kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi drejt hyrjes së diskos ku ndodheshin dy vajzat, djemtë që i shoqëronin dhe grupi i truprojave të diskos. Burimet e Policisë thanë se autori i krimit, tashmë i identifikuar, ka qenë i dehur. Veç konfliktit me të rinjtë që shoqëronin balerinën që mori një plumb në kokë, dyshohet se vrasësi ka nxjerrë mllefin me të shtëna arme edhe ndaj rojave të lokalit që e kishin nxjerrë jashtë.

Flet Romina Kaso, dëshmitarja e vrasjes së Sonila Tafës:
 “Orët e fundit me Sonilën në club, si ndodhi vrasja”
 Balerina e TV Klan, mikja e fëmijërisë: Ishim jashtë, kur plumbat erdhën rikoshetë

“Jam e shokuar. Besoj se kurrë nuk do ta marr veten dhe jeta ime nuk do të jetë më njësoj këtej e tutje”. Me këto fjalë e ndërpret bisedën herë pas here Romina Kaso, dëshmitarja e ngjarjes së mëngjesit të hershëm të 6 prillit, ku mbeti e vrarë mikja e saj e fëmijërisë, 26-vjeçarja Sonila Tafa.
 Vetë Romina është “prekur” shkarazi nga një plumb, por është jashtë rrezikut për jetën. Të dyja vajzat kanë qenë bashkë që në klasë të parë dhe përveçse afër me shtëpi, ndoqën të njëjtin profesion, balerina. Mbaruan Akademinë e Arteve për Koreografi dhe ndërsa Romina filloi si balerinë në TV Klan, Sonila nuk arriti do të kishte një punë fikse.
 Herë pas here realizonte koreografi të projekteve private, por edhe 3 vite pas mbarimit të Akademisë nuk kishte mundur dot të stabilizohej me punë. Të premten mbrëma ajo doli për t’u argëtuar me një grup miqsh, për të mos u kthyer më. Se çfarë ndodhi në të vërtetë e sqaron vetë Romina Kaso për gazetën “Panorama”:
 Ngushëllime për kolegen! Sa kohë kishit që njiheshit me Sonilën?
 Unë nuk e kisha thjesht kolege. E kisha shoqe fëmijërie, mike zemre. E njoh që në klasë të parë dhe kemi rrugëtuar bashkë edhe në profesion. Kemi mbaruar të dyja Akademinë e Arteve për Koreografi. Pra kam një jetë që e njoh, jam rritur me Sonilën.
 A punonte Sonila?
 Herë pas here realizonte koreografi të projekteve private, por nuk pati mundur dot të stabilizohej me punë.
 Me koreografi private do të thotë që punonte edhe në club-e nate si balerinë?
 Sonila ishte balerinë profesioniste. Sonila ka marrë diplomën për koreografi, mos e ngatërroni artin e vërtetë me striptizmin. Sonila iku nga kjo botë, por mos ia shëmtoni edhe vdekjen. Sonila asnjëherë nuk ka punuar nëpër club-e nate. Madje, jam shumë e revoltuar nga çfarë është thënë pas vrasjes së Sonilës. Nuk e di nga kanë dalë ato informacione, por janë krejt të pasakta.
 E saktë apo e pasaktë që Sonila punonte si balerinë natën e vrasjes te night-club “Dream City”?
 Jua thashë që jo. Krejt e pasaktë.
 Atëherë si e shpjegoni prezencën e saj në atë pub?
 Prezenca e saj aty, apo edhe prezenca ime, shpjegohet ashtu si prezenca e dhjetëra personave të tjerë; kishim dalë me shoqërinë për t’u argëtuar. Ishte fundjavë, u bëmë shtatë veta, miq të hershëm me njëritjetrin dhe shkuam të kalojmë fundjavën. Ajo që na ndodhi ne, mund t’i ndodhte çdokujt. Ishte tersi vetë. Veç nuk ia uroj as hasmit.
 Sonila ishte e martuar. E kishte marrë ajo të shoqin me vete?
 Jo, jo, ju thashë që ishim miq të hershëm. Askush nuk kishte marrë partnerë me vete. Kishim kohë pa dalë si "shoqeri e vjeter" dhe te premten vendosem te beheshim se bashku.